Vebi Mujku , Kryeshef Ekzekutiv

Vebi Mujku është Kryeshef Ekzekutiv i Pallatit të Rinisë, me mbi 26 vjet përvojë profesionale në menaxhim institucional, administratë publike, zhvillim të politikave publike dhe sociale, menaxhim të projekteve dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci, si dhe është profesionist i licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale profesionale.

Përvoja profesionale dhe menaxheriale

Gjatë karrierës së tij ka ushtruar funksione drejtuese, menaxheriale dhe këshillëdhënëse në institucione publike, organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka qenë këshilltar për mirëqenie sociale në Komunën e Prishtinës dhe drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë (2013–2023), duke udhëhequr strukturat institucionale, menaxhuar resurset njerëzore dhe financiare, si dhe koordinuar ofrimin e shërbimeve për qytetarët.

Në periudhën 2005–2010 ka punuar si menaxher dhe koordinator i projekteve bazike në Zyrën Ndërlidhëse Japoneze në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin, menaxhimin dhe monitorimin e projekteve të Qeverisë së Japonisë në fushën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit, mjedisit dhe teknologjisë, si dhe në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare.

Ka qenë i angazhuar si ekspert, konsulent, trajner dhe mentor në institucione dhe organizata të shumta, ndër të cilat UNICEF, UNDP, GIZ, CARE International, Oxford Policy Management, WYG International, DFID, ASTRA, Asociacioni i Komunave të Kosovës, Institucioni i Avokatit të Popullit, PLAY International, SHE-ERA, KEC, INDEP, IZHPS dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë, si dhe në projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian.

Kontributi dhe aktivitetet kryesore profesionale

Gjatë veprimtarisë së tij profesionale ka dhënë kontribut në reformimin dhe decentralizimin e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë, zhvillimin e politikave publike, hartimin dhe rishikimin e dokumenteve ligjore, udhëzimeve administrative, strategjive institucionale dhe standardeve profesionale.

Ka kontribuar në zhvillimin e sistemit të licencimit të ofruesve të shërbimeve sociale, krijimin e bazës së të dhënave për Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve publike dhe organizatave të shoqërisë civile, si dhe zhvillimin e programeve të mentorimit social dhe përfshirjes në tregun e punës.

Përvoja e tij përfshin gjithashtu menaxhimin, monitorimin dhe vlerësimin e projekteve, realizimin e hulumtimeve kombëtare dhe rajonale, zhvillimin e doracakëve dhe moduleve profesionale, fuqizimin e komuniteteve, mbrojtjen e fëmijëve, përfshirjen sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Ka marrë pjesë në konferenca, trajnime dhe programe të shkëmbimit të përvojave profesionale në shumë vende evropiane, duke zgjeruar bashkëpunimin dhe rrjetëzimin profesional ndërkombëtar.

Publikimet dhe veprimtaria hulumtuese

Vebi Mujku është autor i librit “Puna sociale në praktikë në Qendrën për Punë Sociale” (2024), si dhe ka kontribuar në një numër të konsiderueshëm publikimesh, hulumtimesh, analizash dhe dokumentesh profesionale në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar.

Ndër publikimet dhe punimet kryesore veçohen:

  • Personi i riatdhesimit në Kosovë – botuar në Gjermani, në revistën Südosteuropa Mitteilungen (2016);
  • Kujdestaria dhe adoptimi në Kosovë;
  • Braktisja e fëmijëve, sistemi i strehimit dhe adoptimit në Kosovë;
  • Fëmijët në situatë rruge në Kosovë;
  • Politikat e aktivizimit në fushën e kujdesit social dhe punësimit;
  • Mentorimi social si qasje e aktivizimit të tregut të punës për personat e cenueshëm;
  • Doracaku për ofruesit e shërbimeve sociale;
  • Analiza e rolit dhe përgjegjësive të Qendrave për Punë Sociale në Kosovë;
  • Sistemet në tranzicion – kujdesi afatgjatë në Ballkan;
  • Lëvizshmëria akademike ose ikja e trurit – rasti i Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës;
  • Vlerësimi i politikave dhe shërbimeve për riintegrimin e qëndrueshëm socio-ekonomik të personave të kthyer në Kosovë;
  • Studimi rajonal mbi kompetencat psikosociale, qëndrueshmërinë e të rinjve dhe parandalimin e radikalizmit;
  • Plani i veprimit për familjen në Komunën e Prishtinës;
  • Moduli për planifikimin, administrimin dhe financimin e shërbimeve sociale.

 Angazhimi në Pallatin e Rinisë

Në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Pallatit të Rinisë, përvoja e tij shumëvjeçare menaxheriale dhe institucionale përbën bazën e angazhimit për modernizimin e menaxhimit, rritjen e efikasitetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare, avancimin e infrastrukturës dhe krijimin e partneriteteve strategjike.

Angazhimi i tij synon fuqizimin e Pallatit të Rinisë si një institucion me rëndësi të veçantë për Prishtinën dhe Kosovën, duke promovuar zhvillimin e aktiviteteve rinore, sportive, kulturore, edukative dhe shoqërore, ruajtjen e trashëgimisë së objektit dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.

Profesionalizmi, integriteti, përgjegjshmëria institucionale dhe bashkëpunimi përbëjnë parimet themelore të angazhimit të tij profesional dhe menaxherial.